Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje shumë-sportëshe ndërkombëtare që mbahet çdo katër vjet dhe bashkon sportistë nga vendet rreth Detit Mesdhe. Për herë të parë në historinë e saj, edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare do të zhvillohet në Prishtinë, Kosovë, nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030, me pjesëmarrjen e rreth 3 500 atletëve nga 26 vende dhe garë në mbi 30 sporte të ndryshme.Përfshirja e futsallit si disiplinë zyrtare në Lojërat Mesdhetare, duke nisur me edicionin që do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030, po vlerësohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme për këtë sport në Kosovë.

Figura kyçe të futsallit vendor e shohin këtë vendim si hap të madh drejt afirmimit ndërkombëtar, njohjes institucionale dhe rritjes së mbështetjes për një sport që, sipas tyre, ka pasur rezultate dhe traditë, por jo gjithmonë vëmendjen e merituar.