Parku natyror Korab-Koritnik është i preferuari i të pasionuarve pas ngjitjeve në male. Një ndër shtigjet më të preferuara për turistët është Bele – Zbinec – Stanet e Pobregut, pjesë e këtij parku. Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen. Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri (2751 m), ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.