Një emocion i prekshëm mbushi sallën e koncerteve ”Vahdat”, në zemër të Teheranit, ndërsa Paniz Faryoussefi, me shkop në dorë, u ngjit në podium për të drejtuar orkestrën e saj prej rreth 50 muzikantësh.

Ajo kishte veshur një fustan të gjatë e të errët dhe një shall të zi të shndritshëm që i mbulon flokët, në përputhje me ligjin iranian që kërkon që gratë të mbajnë shami koke.

Në moshën 42-vjeçare, Paniz Faryoussefi bëri histori në vendin e saj duke drejtuar orkestrën kryesore të Teheranit, e cila ndodhet në sallën ”Vahdat”, një teatër prestigjioz në qendër të kryeqytetit.

Një shenjë e rrallë dhe shpresëdhënëse në një vend ku gratë ende përballen me kufizime të konsiderueshme, përfshirë në fushën e muzikës.

Pas protestave që tronditën Iranin për disa muaj në vitin 2022, pas vdekjes së një gruaje të re kurde në paraburgim pasi u arrestua për shkelje të kodit të rreptë të veshjes, qeveria lehtësoi disa kufizime mbi praninë e grave në shoqëri.

Kjo erdhi edhe pas luftës 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit qershorin e kaluar.

Ky relaksim ishte i dukshëm në koncert, pasi shumë gra morën pjesë në shfaqje pa shami koke, pavarësisht kërkesës së vendosur ende nga autoritetet.

“Kur dola në skenë, pashë që të gjithë sytë ishin mbi mua dhe ndjeva një përgjegjësi të madhe”, tha Faryoussefi pas shfaqjes.

“Udhëheqja e një grupi muzikor kërkon po aq energji mendore sa energji fizike”, theksoi artistja, dukshëm krenare për punën e saj.

Në sallë, shumë gra të reja e brohorasin me entuziazëm dhe ato duken të vetëdijshme se po dëshmojnë një moment revolucionar.

Muzikantet iraniane nuk lejohen të këndojnë para burrave dhe, në disa qytete konservatore, as të performojnë në skenë me një instrument.

E lindur në një familje artistësh dhe e nxitur nga nëna e saj, Paniz Faryoussefi kishte ëndërruar të drejtonte një orkestër simfonike.

“Gratë e reja duhet të këmbëngulin dhe të ndjekin ëndrrat e tyre”, pohon ajo.

Gjatë koncertit të mbrëmjes, orkestra e saj luan një repertor që varion nga austriaku Franz Schubert deri te finlandezi Jean Sibelius, nëpërmjet sovjetikut Aram Khachaturian.

“Shpresoj që kjo shënon një epokë të re për gratë e reja iraniane dhe që ato të kuptojnë se përballë rreziqeve, nuk duhet të kenë frikë”, deklaron muzikantja.

“Kjo është e vetmja portë drejt emancipimit. Një miku im pa një vajzë të vogël në koncert duke imituar gjestet e mia. Ai mendoi se një ëndërr kishte zënë tashmë rrënjë tek ajo, se ajo po i thoshte vetes se edhe ajo një ditë mund të arrinte të njëjtën gjë”, rrëfen artistja, e prekur nga emocionet.