Ivik Knudssen-Ostermann, kompania e të cilit drejton turne me varka për të parë ajsbergët blu vezullues të Groenlandës, tha se pritet një fluks turistësh pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump – që e vendosi ishullin në qendër të vëmendjes globale, sipas CNN.
Deklarata e presidentit amerikan, Donald Trump, së bashku me hapjen e një aeroporti të ri ndërkombëtar në kryeqytetin Nuuk, kanë rritur tashmë numrin e turistëve.
“Tashmë, ne po marrim shumë më shumë rezervime sesa më parë, veçanërisht për shkak të një njeriu me mbiemrin Trump. Ai vërtet e ka vendosur Groenlandën në krye të destinacioneve më të kërkuara edhe një herë,” tha Knudsen-Ostermann, operatori i “Greenland Cruises”.
Groenlanda u bë fokusi i vëmendjes ndërkombëtare në janar kur djali i Trump, Donald Trump Jr., mbërriti në aeroportin e sapohapur të Nuuk.
Që atëherë, presidenti i SHBA-së ka rritur premtimin e tij për ta bërë ishullin Arktik pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa vlerëson pasurinë e tij të madhe të mineraleve të rralla të tokës, të rëndësishme për industritë e teknologjisë së lartë.
Groenlanda shpreson se aeroportet e reja do të forcojnë industrinë e saj të turizmit dhe minierave për të diversifikuar ekonominë, e cila aktualisht varet nga peshkimi.
Shtresa e madhe e akullit të vendit, akullnajat, fjordet e thella dhe bollëku i jetës detare, duke përfshirë balenat, janë atraksionet kryesore, ndërsa krenaria për kulturën lokale Inuit po rritet gjithashtu.
Hapja e aeroportit në Nuuk në nëntor të vitit të kaluar e ka bërë më të lehtë udhëtimin në ishull.
“United Airlines” do të fillojë fluturimet direkte nga Nju Jorku në Nuuk në qershor, duke zëvendësuar itinerarin e mëparshëm që kërkonte që turistët të fluturonin përmes Kopenhagës dhe të kalonin tranzit në ish-bazën ushtarake amerikane, Kangerlussuaq.