Punonjësit në aeroportin ndërkombëtar të Berlinit do të dalin të hënën në grevë për shkak të protestës së thirrur nga sindikatat “Verdi” dhe EVG. Sindikata e fuqishme “Verdi” bëri thirrje sot për grevë në aeroportin Berlin-Brandenburg (BER), duke filluar nga ora 3:30 e mëngjesit të hënën deri në mesnatë. “Verdi” u bëri thirrje punonjësve të sigurisë së aviacionit, kontrollit të pasagjerëve dhe personelit dhe kontrollit të mallrave që të largohen nga puna. Më pas, aeroporti njoftoi se asnjë avion pasagjerësh nuk do të mund të ngrihej nga Berlini të hënën. “Mbërritjet janë të mundshme, por është në dorën e linjave ajrore të vendosin”, tha një zëdhënës i aeroportit. Të enjten dhe të premten, punonjësit dolën në grevë në aeroportet në Dusseldorf, Hamburg dhe Këln/Bon, dhe të premten gjithashtu në aeroportet në Shtutgart dhe Karlsruhe/Baden-Baden. Grevat çuan në anulime të shumta fluturimesh. Në Baden-Aeroport, grevat vazhduan edhe të shtunën. “Ne i bëjmë thirrje edhe një herë shoqatës së punëdhënësve të sigurisë së fluturimit, BDLS të paraqesë një ofertë të negociueshme më 27 dhe 28 prill dhe të mos vazhdojë ta vonojë atë, përndryshe ekziston rreziku që transporti ajror te preket nga greva masive në maj dhe në Rrëshajë (festë e krishterë që kremtohet pesëdhjetë ditë pas pashkëve)”, tha Wolfgang Pieper i sindikatës “Verdi”. Muajt e fundit, sindikatat gjermane kanë paralizuar transportin publik, qendrat e kujdesit ditor, spitalet dhe shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, për shkak të grevave të organizuara në të gjithë vendin, pas mosmarrëveshjeve për pagat e punonjesve të sektorit publik. Sindikatat dhe punëdhënësit në sektorin publik u takuan sot për një raund të katërt negociatash. Greva synon të rrisë presionin ndaj qeverisë dhe autoriteteve lokale për një raund të tretë negociatash që nis të hënën. Sindikata “Verdi” po kërkon një rritje pagash prej 10,5% dhe të paktën 500 euro më shumë në muaj për punonjësit e sektorit publik.
Greva masive pritet të paralizojë aeroportin e Berlinit të hënën
RELATED ARTICLES