Qeveria dërgoi 15 mjekë ushtarakë për të ndihmuar në repartet e urgjencës së pesë spitaleve, përfshirë Qendrën Mjekësore Universitare Ewha Womans në Seul dhe Spitalin Universitar Ajou në Suwon, sipas agjencisë “Yonhap News”.
Për më tepër, janë në zbatim plane për të dërguar rreth 230 mjekë ushtarakë dhe mjekë publikë në spitale të tjera që përballen me staf të pamjaftueshëm në mbarë vendin.
Në mars, Koreja e Jugut urdhëroi 158 mjekë ushtarakë dhe të shëndetit publik që të ndërhynin gjatë një greve ku ishin të përfshirë 90 për qind e mjekëve praktikantë.
Koreja e Jugut është përballur me një krizë shëndetësore që nga shkurti, pasi mijëra mjekë të rinj dhe praktikantë dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj planit të qeverisë për të krijuar 2 000 vende shtesë në shkollat e mjekësisë.
Atyre u janë bashkuar profesorë të shkollave mjekësore të vendit.
Protesta ka shkaktuar probleme në sistemin shëndetësor të Koresë së Jugut, ku mjekët e rinj luajnë një rol të madh.
Shumë operacione janë shtyrë dhe spitalet kanë zgjatur orarin e punës për të menaxhuar fluksin e pacientëve.