Greqia kërkon të forcojë më tej kufirin e saj me Turqinë – dhe po kërkon ndihmë shtesë nga Bashkimi Evropian për ta bërë këtë.

Gazeta greke “Kathimerini” raportoi sot se numri i emigrantëve në Greqi së shpejti mund të rritet ndjeshëm si rezultat i rritjes së kthimeve të njerëzve që kanë marrë azil në vend, ose që kanë aplikuar për azil atje, por kanë udhëtuar më pas në Gjermani.

Reduktimi i përfitimeve të mirëqenies për azilkërkuesit dhe refuzimet në kufijtë gjermanë pritet gjithashtu të kenë ndikim në numrin e emigrantëve që shkojnë në Greqi.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka qenë kritik ndaj vendimit të qeverisë gjermane për të vendosur kontrolle kufitare.

Zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis tha sot se Greqia nuk është vendi që zgjidh problemet që vendet e tjera evropiane kanë shkaktuar përmes politikave të këqija.

Qeveria greke tani dëshiron të zgjerojë gardhin përgjatë lumit Evros/Meriç në kufirin greko-turk dhe të punësojë të paktën 150 roje kufitare shtesë.

Mitsotakis, kohët e fundit bëri thirrje që BE të ofrojë ndihmë financiare për këtë.

Ministri për Mbrojtjen e Qytetarëve, Michalis Chrisochoidis theksoi se Greqia me këto masa nuk mbron vetëm kufijtë grekë, por edhe kufijtë evropianë.

“Ne jemi në përputhje me reformën e fundit të BE-së për azilin dhe rregullat e zonës Shengen”, tha ai gjatë një vizite në kufi.