Qindra zjarrfikës dhe vullnetarë po luftojnë sot me zjarrin masiv pyjor në Eubea – ishulli i dytë më i madh grek – pothuajse i pamundur të frenohet për shkak të erërave të forta. “Zjarri është përhapur me shpejtësi në terrene të pakalueshme”, tha një zëdhënës i zjarrfikësve. Disa fshatra dhe qytete në rajonin e prekur në pjesën jugore të ishullit u evakuuan si masë paraprake. “Më shumë se 200 zjarrfikës dhe qindra vullnetarë po luftojnë me flakët”, thanë autoritetet. Përveç shtatë avionëve zjarrfikës dhe katër helikopterëve zjarrfikës, roja bregdetare ishte gjithashtu në vend me një varkë zjarrfikëse. “Zjarri në Eubea është vetëm një nga më shumë se 50 zjarre që kanë shpërthyer në Greqi brenda 24 orëve”, sipas zëdhënësit të zjarrfikësve. “Megjithatë, zjarret u vunë shpejt nën kontroll pothuajse kudo. Por jo në Eubea”, tha ai. “Këtu jemi mësuar me zjarre prej shumë vitesh. Banorët shpresojnë që zjarri të shuhet. Në te kundert – situata mund të bëhet edhe më e rrezikshme”, tha për gazetën “Kathimerini”, kryebashkiaku i Kymi-Aliverit – qyteti i goditur nga zjarret.