Në takim morën pjesë drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, gjenerali i Forcës Tokësore, Ilir Xhebexhia, si dhe përfaqësues nga strukturat përkatëse të sistemit të mbrojtjes civile.
Takimi kishte për qëllim përforcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin efektiv të veprimeve për izolimin e plotë të flakëve dhe rikthimin e normalitetit në zonat e prekura nga zjarret.
Situata nga zjarret në zonën e Gramshit mbetet kritike, me disa vatra aktive që vijojnë të përhapen në territorin e bashkisë.
Në njësinë administrative Skënderbegas, zjarri i nisur në fshatin Kullollas është përhapur edhe në drejtim të fshatrave përreth, përfshirë zonën e Harunasit. Flakët po avancojnë në drejtim të fshatit Nartë, ku autoritetet kanë dhënë njoftim për evakuim, për shkak të rritjes së intensitetit të zjarrit dhe rrezikut ndaj banesave.
Të gjitha kapacitetet e emergjencës në qarkun e Elbasanit janë të përqendruara aktualisht në bashkinë Gramsh, ku janë angazhuar edhe dy helikopterë të EBA për ndërhyrje nga ajri. Ndërkohë, në terren po punojnë dy mjete zjarrfikëse në zonën e Nartës dhe tri të tjera mbi fshatin Skënderbegas.
Situatë problematike paraqitet edhe në njësinë administrative Kukur, ku vatra aktive zjarri vijojnë në fshatrat Mukaj dhe Sojnik, duke djegur sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët.