E njohur si perla e Dibrës, Grama karakterizohet nga bjeshkë të sheshta, liqeni piktoresk dhe hapësira të gjera natyrore. Zona ofron burime të shumta uji të kristaltë dhe peizazhe të pasura natyrore, ndërsa përfshin edhe një sërë monumentesh natyrore, çka e bën një nga destinacionet më të kërkuara nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj.
Grama shtrihet në verilindje të Peshkopisë, rreth 12 kilometra larg qytetit, dhe arrin lartësinë deri në 2400 metra mbi nivelin e detit. Ajo përbën një nga zonat më të bukura të Parkut Kombëtar Korab-Koritnik. Ngjitja drejt bjeshkëve ofron një panoramë të gjerë mbi fushën e Dibrës dhe qytetin e Peshkopisë, duke e kthyer këtë zonë në një “ballkon” natyror me pamje unike.





