Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato bëri thirrje për veprim urgjent për ta njohur femicidin si krim të veçantë dhe për të përforcuar parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Deklarata erdhi në konferencën e organizuar nga Avokati i Popullit, “Femicidi: Problem social përtej statistikave”, ku morën pjesë autoritete shtetërore e zyrtarë qeveritarë si dhe organizata të shoqërisë civile.

“Dhjetëra gra dhe vajza kanë humbur jetën vitet e fundit në Shqipëri për shkak të dhunës me bazë gjinore ndërkohë që tendenca është në rritje. Pas këtyre shifrave qëndrojnë histori të pathëna të dhunës dhe diskriminimit në familje”, u shpreh Gonzato në fjalën e tij.

“BE-ja është e përkushtuar të mbështesë institucionet shqiptare për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore. Dhuna ndaj grave nuk ka vend në shoqëritë tona”, u shpreh Gonzato.