Gonzato: Shpresojmë që të gjithë grup-kapitujt e negociatave të hapen këtë vit

0
3

Gonzato u shpreh se “Shqipëria ka çuar në Këshillin e BE-së para 10 ditësh qëndrimin e vet negociues dhe BE po përgatit qëndrimin e vet në mënyrë që të organizohet konferenca tjetër ndërqeveritare sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Sigurisht ne shpresojmë që të gjithë grup-kapitujt të hapen këtë vit. Por sfida e vërtetë nuk është vetëm hapja e grup-kapitujve dhe negociatave për to, por kryerja e reformave që janë të domosdoshme në mënyrë që legjislacioni i Shqipërisë të jetë në përputhje të plotë me atë të Bashkimit Evropian në të gjitha fushat”, tha Gonzato.

Më tej Gonzato tha se “nuk ka më kohë për zvarritje dhe delegacioni i BE-së është i gatshëm të mbështesë Kuvendin për të arritur këtë gjë. Parlamenti është angazhuar që të përmirësojë funksionimin e vet të brendshëm. Për shkak të udhërrëfyesit për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike, Kuvendi është angazhuar të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e punës parlamentare, integritetin dhe rrisë e përmirësojë aksesueshmërinë e  qytetarëve dhe OJQ-ve. Kuvendi luan një rol më të përgjegjshëm për të promovuar debatin në të gjithë vendin dhe konsensusin në Shqipëri për axhendën e integrimit në BE”.

“Ashtu siç e ka thënë Komisionerja Marta Kos, shumë shpesh, dhe do ta thotë edhe gjatë vizitës së saj në fund të kësaj jave, ky proces është i rëndësishëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për llogaridhënie, por edhe për faktorë të tjerë”, tha Gonzato duke përgëzuar edhe Tabakun për përpjekjet e saj.

Gonzato u shpreh se “vlerësoj edhe fokusin që kemi sot për legjislacionin e BE-së për antidiskriminimin. Barazia është ndër themelet e BE-së, gjendet në traktatet, por edhe në kartën tonë të drejtave themelore dhe i jep BE-së mandatin dhe përgjegjësinë për të luftuar diskriminimin”.