Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato vlerësoi se programi “EU4Culture” nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e monumenteve, por edhe me kremtimin e jetës së artistëve.
I pranishëm në aktivitetin e organizuar nga organizata “Tek Bunkeri” me artistin Lulzim Beqiri, ambasadori Gonzato u shpreh se “të vësh drejtësi për ata që vuajtën brutalitetin e regjimit komunist ka të bëjë me rikthimin e shpresës, rikthimin e njerëzimit, por edhe me rikthimin e kreativitetit”.
“Kur dy nga pikturat, të cilat ishin konfiskuar, iu rikthyen, Lulzim Beqiri gjeti një frymë të re në jetën e tij artistike. Jam krenar që shoh se EU4Culture nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e monumenteve. Ka të bëjë edhe me kremtimin e jetës së artistëve jashtëzakonisht të guximshëm si Lulzimi”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.