Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato ka zhvilluar një takim me studentët e Gazetarisë dhe Komunikimit pranë Universitetit të Tiranës, duke i mëshuar faktit se liria e medias është një nga pikat kryesore të çështjes së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në një postim në rrjetet, Gonzato thekson faktin se përtej reformave kyçe në të gjithë sektorët e shoqërisë shqiptare, media, dialogu dhe standardet gjithëpërfshirëse janë kusht për integrimin e vendin tonë në familjen e madhe europiane.
“Hapja e negociatave të pranimit në BE mbi themeloret javën e kaluar ishte një vendim historik. Një nga fushat kryesore të mbuluara në këto negociata është liria e medias. Kjo është një fushë thelbësore ku reformat duhet të bazohen në një proces dialogu të fortë dhe gjithëpërfshirës”, u shpreh Gonzato.
Ai shprehu kënaqësinë e takimit në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës, duke theksuar se takimi shërben edhe për të parë se si “ne së bashku mund të lehtësojmë një dialog gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët e medias, shoqërinë civile dhe institucionet përkatëse shtetërore”.
“BE-ja, në partneritet me Këshillin e Evropës, dëshiron të mbështesë këtë dialog, duke përfshirë sigurimin e ekspertizës së synuar për standardet evropiane”, theksoi Gonzato.
Në këtë takim, ambasadori u prit nga profesor Mark Marku dhe një grup tjetër përfaqësues të këtij universiteti, ndërsa diskutimet dhe idetë u ndanë edhe me studentët që folën për çështje të ndryshme nga liria e medias, gazetaria, standardet etj