Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Silvio Gonzato vizitoi në Korçë Innovation Hub, një hapësirë e mbushur me energji, ide të reja dhe pasion për teknologjinë.

Kjo qendër është kthyer në një pikë referimi për të rinjtë e qytetit, studentë, freelancerë, sipërmarrës të rinj dhe krijues që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes dijes dhe inovacionit.

Gjatë vizitës, ambasadori Gonzato pati mundësinë të njihej me projektet fituese të ICT Clubs dhe të zhvillonte një bisedë të hapur me të rinjtë që janë pjesë e këtij komuniteti.

Përfaqësues nga fusha të ndryshme ndanë përvojat dhe idetë e tyre, duke treguar se Korça ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim përmes teknologjisë dhe përkushtimit të këtyre rinjve.

Bashkimi Evropian, përmes projekteve si EU4Innovation, vazhdon të mbështesë qendrat e inovacionit dhe iniciativat rinore në të gjithë Shqipërinë, sepse integrimi në BE nuk është vetëm një proces politik, por një rrugëtim që fillon nga komunitetet, nga të rinjtë dhe nga mundësitë që ata krijojnë për të ndërtuar një shoqëri më moderne, më të qëndrueshme dhe më afër vlerave evropiane.