“Gjyshja perfekte”, argëtim për fëmijë në ArTurbina

0
14

Shfaqja “Gjyshja ime perfekte” një komedi për fëmijë, do të shënojë premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” , këtë fundjavë. Komedia ka plot befasi e teknologji për fëmijët dhe vjen në kuadër të programit “Edukimi përmes artit”. Në përshkrimin që Teatri Eksperimental i bën shfaqjes thuhet: “Shumë vite më vonë, saktësisht në 2137, në katin e 55-të të një kulle në Tirana City, jeton një djalë i vogël, me emrin 03. Ai jeton me dy prindërit e tij, me dy vëllezërit binjak çamarrokë dhe me një gjyshe tipike shqiptare, 136 vjeçare. Çdo gjë duket e zakonshme, deri sa prindërit biznesmenë ikin në punë dhe dy vëllezërit kanë “luksin” të shkojnë në “Hi Tech Collegue” – se janë 2 dhe 3 minuta më të mëdhenj se ai – protagonistit tonë i duhet të rrijë mbyllur në shtëpi, nën kujdesin e gjyshes që mezi dëgjon, mezi shikon dhe mezi merret vesh kur flet. Tepër i bezdisur nga gjyshja 136-vjeçare, ai u kërkon ndihmë vëllezërve dhe nëpërmjet një çipi që ia vendosi gjyshes në tru, ata fillojnë ta komandojnë dhe ta transformojnë gjyshen si të duan”. Teskti dhe regjia e “Gjyshes perfekte” janë të Endri Çelës. Në kastin e aktorëve janë Kleard Gërmenji, Adriana Tolka, Renato Aliçkolli si video grafic designer, muzika nga Florjan Hoxha, koreografia nga Aledia Kondaj, kostumografia nga Sofi Kara, skenografia nga Beqo Nanaj. Shfaqja do të vihet në skenë në sallën 105 në ArTurbina.