Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAGjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi i ka kërkuar trupës gjykuese në Hagë të hedhë poshtë akuzat me origjinë ruse, sipas tij, se UÇK-ja trafikonte organe gjatë kohës kur vepronte në Kosovë. Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rinisi të hënën (14 gusht) në Dhomat e Specializuara me të pandehur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ngriti pikëpyetje ndaj akuzës së hershme për trafikim organesh të kryera me dijeni dhe urdhër të të pandehurve. Për këtë, Kehoe përmendi disa artikuj rusë të pasqyruar edhe në mediet evropiane, duke shtuar se akuzat janë false dhe përderisa hetimi për çështjen e trafikimit ka përfunduar, akuza duhet të japë sqarime. “Nuk e di nëse rusët po përpiqen të ndikojnë këtë trup gjykues por pavarësisht qëllimeve të tyre, ata në mënyrë të vazhdueshme vazhdojnë të përpiqen që të thonë që zotërinjtë të cilët janë të akuzuar në këtë çështje gjyqësore janë të përfshirë në akuza për trafikimin e organeve, gjë e cila pa diskutim që nuk është e vërtetë. Ju parashtroj, zoti gjykatës, se do ishte mirë që të jepni një njoftim dhe të thoni që ky hetim ka përfunduar dhe kjo çështje nuk ka të bëjë fare me trafikimin e organeve,” deklaroi mbrojtësi i Thaçit. Avokati amerikan hodhi dyshime edhe mbi mënyrën si po vepron Zyra e Prokurorit të Specializuar për gjetjen e dëshmitarëve që dëshmojnë kundër Thaçit. Ai mori shembullin e një shqiptari nga Gjermania, i cili pas një interviste ne mediet kosovare, i ishte kërkuar të gjejë të tjerë dëshmitarë. “E kuptoj që ZPS ka përdorur ndërmjetës në Kosovë për të gjetur dëshmitarë, megjithatë kjo është ndërhyrje në procesin e drejtësisë nëse ka pjesëmarrje që inkurajon dikë që të gjejë katër dëshmitarë katolikë dhe të vijnë të dëshmojnë kundër klientit tim, presidentit Hashim Thaçi. Dua ta ngre këtë dhe t’jua bëj me dije, të nderuar gjykatës, dhe besoj që është e drejtë të them që kjo është ndërhyrje me çështje të drejtësisë, dhe për të qenë i sinqertë nuk kam asnjë vend tjetër ku ta drejtoj këtë shqetësim, përveç trupi gjykues,” tha avokati Kehoe. Thaçi, Veseli dhe Selimi ishin të pranishëm në gjykatë, ndërsa Krasniqi iu bashkua seancës përmes me video nga qendra e paraburgimit. Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse, ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e pretenduara për krime lufte. Ata ndodhen në dhomat e paraburgimit në Hagë prej nëntorit 2020. rtsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments