Gjyqi i Donald Trump në Xhorxhia lidhur me akuzat për mashtrim zgjedhor do të transmetohet drejtpërdrejt në televizion, vendosi një gjykatës. “Të gjitha seancat do të jenë të disponueshme drejtpërdrejt në kanalin “YouTube” të Gjykatës së Qarkut Fulton”, tha gjyqtari Scott McAfee. Një datë për gjyqin nuk është caktuar ende, por mund të jetë viti i ardhshëm kur Trump të kandidojë për rizgjedhje. Trump dhe 18 persona të tjerë janë akuzuar për një komplot që synonte përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në 2020. Ish-presidenti republikan, i cili po përballet me tre gjyqe të tjera penale, është deklaruar i pafajshëm për 13 akuza në shtetin e Xhorxhias. Të gjitha proceset në gjykatat e Qarkut Fulton zakonisht transmetohen drejtpërdrejt. Megjithatë, ky do të jetë i vetmi nga katër gjyqet e Trump që do të transmetohet live dhe që pritet të jetë një nga gjyqet më të ndjekura në vitet e fundit. Prokurorët pretendojnë se ai u bëri presion zyrtarëve të Xhorxhias për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve në shtet, të cilat ai i humbi ndaj demokratit Joe Biden. Në qendër të çështjes së prokurorisë është një telefonatë që ai i bëri sekretarit të shtetit të Xhorxhias për të “rillogaritur” numrin e votave. Ish-manjati i pasurive të patundshme në Nju Jork është kandidati kryesor aktual për nominimin presidencial republikan në vitin 2024 dhe problemet e tij ligjore në rritje nuk kanë bërë asgjë për të dëmtuar popullaritetin e tij në mesin e mbështetësve të tij. “Rasti në Xhorxhia dhe tre rastet e tjera penale me të cilat po përballem janë të drejtuara politikisht”, tha Trump.
Gjykimi ndaj Trump do të transmetohet drejtpërdrejt
RELATED ARTICLES