Shkencëtarë polakë dhe amerikanë zbuluan gjurmë të tuberkulozit në një skelet të vjetër, i cili daton 245 milionë vite më parë, të një zvarraniku ujor prehistorik duke zbuluar se kjo sëmundje është shumë herë më e hershme nga sa mendohej deri më sot. Rezultatet e kërkimeve, tashmë të publikuara në gazetën “Royal Society Open Science” të Londrës u prezantuan për median në Katowice, në jug të Polonisë. “Këto të dhëna janë një arritje e madhe në kohë”, komentoi autori i studimit, paleontolog i Universitetit të Silezisë, Dawid Surmik. ”Deri më tani, gjurmët më të hershme të zbuluara të tuberkulozit datonin 17 000 vite më parë”, shtoi ai. Skeleti i zvarranikut, një proneustikozaur, i familjes së notosaurëve, ngjan me një krokodil të vogël peshkngrënës që u zbulua në Gogolin, në Silezi, në fillim të shekullit XX. Por vetëm së fundmi shkencëtarët u interesuan, pas një serie tumoresh malinje të kockave, të konstatuara në katër brinjë të kafshës. Në bashkëpunim me Bruce Rothschild të “Carnegie Museum” në Pittsburgh (SHBA), dhe paleobiologut polak, Katarzyna Janiszewska, Dawid Surmik shqyrtoi këto tumore duke përdorur mikrotomografinë për përjashtimin e tumoreve kancerogjene, më pas një diagnozë diferenciale eliminimoi sëmundje të tjera përveç tuberkulozit. “Nuk ka të dhëna për këtë zvarranik, nëse jetonte në grup apo vetëm dhe nuk dihet mënyra e kontaminimit të sëmundjes, ndoshta nga kafshimi i një kafshe tjetër”, pohoi Dawid Surmik, i cili tregoi gjithashtu se ishte një rastësi interesante, pasi fokat e sotme kanë një mënyrë të ngjashme jetese me atë të notozaurit, të cilat vuajnë shpesh nga tuberkulozi.
Gjurmë tuberkulozi te një zvarranik prehistorik
RELATED ARTICLES