Rektori Gjuraj shprehu optimizëm për një numër në rritje të studentëve edhe në Ciklin II Master Shkencor dhe Master Profesional, duke theksuar se këtë vit janë hapur katër programe të reja studimi.

Rektori u kujtoi të gjithë maturantëve se kanë ende në dispozicion dy raunde të tjera për regjistrim.

“Raundi i dytë, përzgjedhja e programeve të studimit 20–22 shtator, ndërsa regjistrimet 29 shtator – 8 tetor. Raundi i tretë është i lirë dhe do të jetë në periudhën 13–24 tetor. Pas datës 24 tetor, procesi i regjistrimeve për programet Bachelor dhe profesionale do të mbyllet”, tha Gjuraj.

Rektori Gjuraj u bëri thirrje përfaqësuesve të të gjitha forcave politike që përfaqësojnë Shkodrën në Kuvendin e Shqipërisë që të bashkohen për të lobuar në mënyrë që Universiteti i Shkodrës të ketë një kampus universitar modern dhe investime të tjera në infrastrukturë. Ai veçoi rëndësinë e rikonstruksionit të njërës prej dy godinave të rëndësishme për t’u vënë në dispozicion të UNISHK, asaj të ish-Spitalit Neuropsikiatrik apo godinës së ish-Sanatoriumit, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin akademik e shkencor të universitetit.

Po ashtu, rektori theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me bashkinë e Shkodrës, në lidhje me çështje që lidhen me konviktin, mensën, kartën e studentit dhe falënderoi institucionin për investimet e kryera në godinën e Rektoratit.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, duke u përqendruar në zgjerimin e programeve të studimit dhe forcimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare. Partneritetet strategjike me universitete prestigjioze evropiane, si ai me Universitetin e Salentos në Itali, po mundësojnë zhvillimin e projekteve të përbashkëta në shumë fusha, si edhe në atë të inovacionit akademik.