Gjithçka prindërit duhet të dinë lidhur me infeksionin e shytave tek fëmijët

0
13

Shytat janë një infeksion i shkaktuar nga një virus që i përket familjes së paramixoviruseve. Ky virus mund të infektojë shumë pjesë të trupit, por më së shumti njihet për prekjen e gjëndrave parotide. Këto gjëndra, të cilat sekretojnë pështymë, ndodhen para veshit, rreth nofullës. Shytat dikur ishin një sëmundje e zakonshme e fëmijërisë, veçanërisht tek fëmijët 5 deri në 9 vjeç. Sot, është një sëmundje që ndeshet më rrallë pas daljes së vaksinës.Cilat janë shenjat dhe simptomat e shytave? Shumë fëmijë nuk kanë simptoma, ose simptoma shumë të lehta të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm. Ata që shfaqin simptoma mund të kenë temperaturë, dhimbje koke, humbje oreksi, dobësi trupore, dhimbje muskujsh. Brenda disa ditësh, gjëndrat parotide mund të fryhen dhe të bëhen të dhimbshme. Kjo i bën faqet të duken të fryra dhe fytyra merr pamjen e dardhës. Dhimbja përkeqësohet kur fëmija gëlltitet, flet, përtyp ose pi lëngje me përmbajtje acide (lëngu i portokallit). Mund të fryhet vetëm njëra gjendër ose të dyja bashkë. Ndonjëherë njëria fryhet 2-3 ditë pas tjetrës. Rrallëherë, sëmundja mund të ndërlikohet në encefalit, meningit, orkiti (inflamacion i testikujve), pankreatit (inflamacion i pankreasit), humbje dëgjimi. A janë shytat ngjitëse? Shytat janë ngjitëse. Shytat përhapen nëpërmjet spërklave të pështymës, kur dikush me virus teshtin, kollitet, flet ose qesh. Kontakti me sendet personale, gotat e ujit, sipërfaqet e kontaminuara etj. Dikush me shytat është më ngjitës nga 2 ditë para fillimit të simptomave deri në 5 ditë pas përfundimit të tyre. Kushdo që është i infektuar mund të shërbejë si vektor transmetimi, edhe nëse nuk ka simptoma. Kush mund të infektohet nga shytat? Shytat ndodhin më shpesh tek fëmijët e moshës së kopshtit dhe të shkollës fillore. Personat të cilët preken njx herë nga shytat krijojnë imunitet të përhershëm. Si diagnostikohen shytat? Mjeku i famijes është kontakti juaj i parë i cili ju adreson tek specialisti ORL. Mjeku ORL kryen të gjitha ekzaminimet e nevojshme, bën diagnozën diferenciale me patologji të tjera që prekin gjendrën e pështymës apo nyjet limfatike të qafës dhe vendos diagnozën përfundimtare. Si trajtohen shytat? Nuk ka trajtim specifik mjekësor për shytat. Trajtimi është simptomatik. Për të ndihmuar në menaxhimin e simptomave, i rekomandoj prindërit: Jepini fëmijës suaj shumë lëngje dhe ushqime të buta që janë të lehta për t’u përtypur. Mos i jepni lëngje frutash të tharta ose acide (si lëng portokalli, limoni, qitro etj) që mund të përkeqësojnë dhimbjen e gjëndrës parotide. Mund të përdoren medikamente për të ulur temperaturën ose për të lehtësuar dhimbjen, si paracetamol apo ibuprofen. Aspirina është e kundëindikuar tek një fëmije që ka një sëmundje virale, pasi një përdorim i tillë lidhet me sindromën Reye. Mund të përdorni mbi gjëndrat parotide të fryra kompresa të ftohta. Mundësojini fëmijës suaj të pushojë sa më shumë. Fëmijët me shytat duhet të qëndrojnë në shtëpi për 5 ditë nga fillimi i enjtjes së gjëndrës parotide. Për rikthimin në shkollë pyesni mjekun specialist. Mos harroni se shytat shkaktohen nga një virus, kështu që nuk ka vlerë përdorimi i antibiotikëve. Antibiotikët veprojnë vetëm kundër baktereve. Sa zgjasin shytat? Shumica e fëmijëve me shytat shërohen në rreth 2 javë. A mund të parandalohen shytat? Për gjithë fëmijët, mbrojtja nga shytat realizohet nëpërmjet imunizimit me vaksinën e fruthit-shytave-rubeolës (MMR) ose vaksinën e fruthit-shytave-rubeolës-varicellës (MMRV). Sipas kalendarit tonë të vaksinimit këto vaksina merren në moshën 12 muaj dhe 6-7 vjeç. Vaksina nuk e përjashton infektimin absolut me shytat por siguron simptoma më të buta në krahasim me personat e pavaksinuar. Çfarë tjetër duhet të dijë një prind? Infeksione të tjera virale mund të shkaktojnë gjithashtu inflamacion të gjëndrave parotide, të tilla si gripi ose viruse të tjera, të cilët janë shumë më të zakonshëm se shytat. Disa infeksione bakteriale apo prania e një bllokimi mekanik të duktusit të gjendrës (gurët/sialolitiaza) gjithashtu mund të japin simptoma të ngjashme me enjtje të gjendrës.