Tuesday, November 26, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREGjirokastra, një shembull i rrallë i harmonisë etnike dhe fetare në Shqipëri

Gjirokastra, një shembull i rrallë i harmonisë etnike dhe fetare në Shqipëri

Harmonia fetare në Shqipëri është një shembull i rrallë se si mund të jetojmë dhe punojmë së bashku, pavarësisht mënyrës se si lutemi.

Delegacioni i BE në Shqipëri solli sot shembullin e Gjirokastrës, ku kishat, xhamitë dhe teqetë i japin qytetit imazhin e bashkëjetesës, ku diskutimi gjatë Javës së Evropës 2024 theksoi rëndësinë e përcjelljes së frymës së unitetit tek brezat e ardhshëm.

Në Varosh të Gjirokastrës vizitorët mund të shohin ende Kishën e Kryeengjëjve, me muret e saj prej guri të bardhë. Brenda, skena biblike nga ikonat mirëpresin të krishterët dhe turistët. Një arkadë madhështore ngrihet si një prej hyrjeve, ndërsa në portën e saj jugore një mbishkrim tregon se është ndërtuar në vitin 1777.

Një histori që daton më shumë se dy shekuj e gjysmë, tregon për rëndësinë e veçantë që ka kjo kishë për komunitetet e qytetit.

“Kur po ndërtohej kisha, muret e ndërtuara gjatë ditës rrënoheshin natën nga ata që ishin të pakënaqur me praninë e saj. Baba Mustafai nga Teqeja e Shtufit ngriti një tendë pranë vendit të ndërtimit dhe qëndroi aty për ta ruajtur për gati një vit, deri në përfundimin e kishës. Gjithçka që duhet të bëjmë është të vazhdojmë atë që kanë bërë të parët tanë. Kjo është harmonia, tha Baba Myrteza Shehu, një përfaqësues i Urdhrit Bektashi, gjatë diskutimit për harmoninë etnike dhe fetare në Gjirokastër, në Ditën e Evropës.

Baba Myrtezai kujton një histori thuajse të harruar për të ilustruar vlerat që kanë formësuar komunitetet e qytetit, ku fetë dhe etnitë e ndryshme jetojnë, bashkëpunojnë dhe bashkëjetojnë në harmoni.

Duke e konsideruar unike harmoninë fetare në Gjirokastër, përfaqësuesi i komunitetit mysliman Ndriçim Gjika, theksoi hapat e nevojshëm për të ardhmen.

“Me gjithë sa po ndodh nëpër botë, edhe ne duhet të përgatitemi, sepse është më mirë ta parandalojmë një sëmundje sesa ta kurojmë. Siç e dimë, nuk do të ketë paqe mes kombeve pa pasur paqe mes feve dhe për të pasur paqe mes feve duhet dialog”, tha ai.

Duke theksuar shembullin e rrallë të harmonisë fetare në Shqipëri, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato vuri në dukje rëndësinë e dialogut për t’ua përcjellë harmoninë fetare brezave të ardhshëm.

“Kemi diçka shumë të rrallë që duhet ta nxisim dhe ta eksportojmë brenda rajonit, i cili fatkeqësisht është shkatërruar nga njerëzit që e përdorin fenë për interesa nacionaliste. Feja nuk ka lidhje me dhunën. Do të ishte shumë e vlefshme nëse në këta dialogë do të zbulonim vlerat e përbashkëta të të gjitha feve: dinjitetin e qenies njerëzore dhe dhembshurinë. Duhet të diskutojmë se si t’i ruajmë këto vlera dhe si t’ua tregojmë vendeve të tjera. Feja nuk duhet të jetë pengesë; ajo duhet të na bashkojë. Diplomacia tradicionale nuk merret me fenë, pasi jemi laikë, por kemi kuptuar që duhet marrë parasysh për të krijuar ura dhe për të promovuar paqen. Biseda me liderët fetarë mund të jetë vendimtare për promovimin e paqes, solidaritetit dhe përfundimit të konfliktit”, nënvizoi ambasadori Gonzato.

Përfaqësuesi i komunitetit ortodoks, mitropoliti Dhimitër, e vlerësoi nismën për organizimin e diskutimit, duke theksuar se bashkëjetesa dhe harmonia fetare vijnë vetëm përmes dialogut. “E vetmja mënyrë që rajoni ynë të jetojë në paqe është që vetë komunitetet fetare të pranojnë dhe respektojnë diversitetin ekzistues, lirinë e ndërgjegjes së çdo individi dhe lirinë e çdo pakice. Ajo që kërkohet nuk është vetëm toleranca, por edhe respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë”, theksoi ai.

Gjatë diskutimit të zhvilluar tek “Obelisku”, në Gjirokastër, u hodhën ide dhe sugjerime se si dialogët mund të kultivojnë tolerancën dhe të shmangin konfliktet.

Kryebashkiaku kujtoi përsëri qytetin e vjetër, duke sugjeruar rindërtimin e asaj që ka shkatërruar e kaluara.

“Këtu ku jemi sot, kishim kishën katolike. Ndoshta komuniteti duhet të shqyrtojë mundësinë e rindërtimit të kishës së shkatërruar në vitet 1980. Për ne nuk ka rëndësi nëse shumica janë myslimanë, ortodoksë apo katolikë; ne jemi të gjithë një. Një nga vlerat që kemi trashëguar është martesa ndërfetare, një vlerë që të gjithë kemi për detyrë ta ruajmë për të mbajtur harmoninë”, tha Flamuri Golemi.

Pothuajse njëkohësisht me Kishën e Kryeengjëjve, në Gjirokastër u ndërtua Xhamia e Pazarit, një monument kulture. Ato qëndrojnë në vende të ndryshme, duke e “ruajtur” Gjirokastrën dhe duke shpalosur diversitetin, trashëgiminë dhe historinë e saj.   

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments