Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi u shpreh sot se pas vetëreformimit të ASHSH-së do të kalohet në fazën e reformimit në vazhdimësi të vetë sistemit të kërkimit shkencor. Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt mbledhja vjetore e Asamblesë e para pas bashkimit me institutet e albanologjisë, ku Gjinushi mbajti raportin përmbledhës për veprimtarinë e Akademisë së Shkencave gjatë periudhës 2019 -2023.
“Gjatë katërvjeçarit 2019-2023, u realizua faza e parë e reformës, ajo e vetëreformimit të ASHSH-së, për të kaluar në fazën e dytë të saj, të reformimit në vazhdimësi të vetë sistemit të kërkimit shkencor tek ne. Synimi në periudhën 2019-2023 ishte kthimi në institucionin më të lartë të kërkimit, promovimi e koordinimi i vetë sistemit të kërkimit, nëpërmjet rifreskimit të vetë Asamblesë, ngritja e strukturave të reja ligjore e më tej, vendosja pranë saj e qendrave e njësive kryesore me ndikim kombëtar, me qëllim vendosjen e balancave të duhura midis arsimit të lartë e shkencës. Sot mund të pohojmë se kjo fazë u përmbyll e synimet tona u realizuan”, u shpreh Gjinushi.