Kreu i ASHSH-së shtoi se, projekt-aktet, deri më tani, nuk i plotësojnë pritshmëritë. Ato s’duhet të jenë produkt i strukturave të dominuara nga administrata burokratike, i veprimeve të nxituara, dhe mbi të gjitha, ato duhet të tejkalojnë frymën e mosbesimit ndërinstitucional që shoqëroi ligjin për shkencën.
“Me të drejtë Kryeministri shrehu nevojën e rishikimit të Ligjit për Arsimin e Lartë, i cili, duhet të jetë në harmoni me atë të shkencës. Ligji për shkencën e ai për arsimin e lartë e ai për Akademinë e Shkencave nuk janë ligje konkuruese, por duhet të jenë komplementare e duhen trajtuar si të tillë”, theksoi akademik Gjinushi.
Gjinushi përmendi problemet e krijuara sa i përket etikës së plagjiaturës në kërkim; kategorizimi i kërkuesve shkencor zhvleftësohet e nuk jep efektin për të cilin është parashikuar në ligj; cënohet autonomia, ose krijohen shtigje keqinterpretimi për shkeljen e saj në financimin e institucioneve e të instituteve kërkimore; kompromentohet nevoja e bashkëpunimit midis instituteve dhe IAL-ve, duke u kthyer këtë bashkëpunim nga një domosdoshmëri të ligjshme, në atribut të njësive të veçanta.
Gjinushi shtoi se, koha e parashikuar në ligj, nëntor 2025, për miratimin e akteve nënligjore lejon që ato të jenë produkt i një fryme bashkëpunuese ndërinstitucionale, pa nxitim e imponim në harmoni me ligjin e qëllimin e tij, çka do të mundësohej e institucionalizohej dhe me vënien në funksionim të Këshillit Kombëtar për Shkencën e Kërkimin Shkencor, i cili ngrihet për herë të parë pikërisht për këtë qëllim. Kjo risi e ligjit kërkon që aktet, para miratimit përfundimtar, të marrin mendimin e këtij Këshilli ku janë të përfaqësuar institucionet kryesore të politikëbërjes, zhvillimit e financimit të kërkimit shkencor.