Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREGjermania po shqyrton ndalimin e Huawei dhe ZTE

Gjermania po shqyrton ndalimin e Huawei dhe ZTE

Kina ka denoncuar ashpër raportet se Berlini po “konsideron” ndalimin e disa komponentëve të kompanive kineze Huawei dhe ZTE në rrjetet e saj të telekomunikacionit, duke i kërkuar qeverisë gjermane të “dëgjojë me kujdes zërin e saj të arsyes”. Duke iu referuar të dhënave evropiane, Ambasada Kineze në Berlin tha në një deklaratë se “Huawei përbën gati 60 për qind të pajisjeve të rrjetit 5G të Gjermanisë, duke dhënë kontribut pozitiv në ndërtimin e infrastrukturës së komunikimit të Gjermanisë”. “Për një kohë të gjatë, Huawei ka funksionuar në përputhje me ligjet dhe rregulloret, ndërsa teknologjia e saj përputhet me standardet e sigurisë”, thuhet në deklaratë. Më herët të martën, një zyrtar anonim nga Ministria e Brendshme gjermane tha se qeveria “është duke bërë një rishikim të përgjithshëm të furnizuesve të teknologjisë së telekomunikimit”, duke shtuar se “nuk u drejtohet prodhuesve specifikë”. “Në vitet e fundit, vendet dhe forcat kundër Kinës kanë vazhduar të përpiqen të njollosin Huawei me akuza të sajuara, por kurrë nuk ka pasur asnjë provë që pajisjet dhe komponentët e Huawei paraqesin rreziqe sigurie”, thuhet në reagimin e ambasadës kineze. “Nëse raporti është i vërtetë”, atëherë Pekini “është në mëdyshje dhe shumë i pakënaqur me vendimin e nxituar të marrë nga departamenti përkatës i qeverisë gjermane pa bazë faktike”, shtohet më tej. “Kina kundërshton ashpër gjeneralizimin e konceptit të sigurisë kombëtare nga Gjermania dhe abuzimin me pushtetin shtetëror duke ndërhyrë në treg në bashkëpunimin e saj me Kinën”, tha ambasada. “Kjo jo vetëm që shkel ligjet ekonomike dhe parimin e konkurrencës së ndershme, por gjithashtu dëmton të tjerët dhe nuk përfiton vetë”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Pekini “kundërshton ashpër çdo praktikë të politizimit të investimeve dhe menaxhimit të korporatave dhe pan-sekuritizimit të tyre”, thuhet mes tjerash në deklaratë, duke vazhduar: “Mbetemi me shpresë që pala gjermane të krijojë një mjedis biznesi të drejtë, korrekt, të hapur dhe jodiskriminues për kompanitë kineze dhe të bëjë më shumë për promovimi e përfitimit të ndërsjellë në vend se ta bëjë të kundërtën e kësaj”. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments