Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka premtuar Kievit një tjetër sistem të mbrojtjes ajrore “Patriot” për muajt e ardhshëm të dimrit, pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në Spanjë. “Forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës me sistemin “Patriot” tani është i nevojshëm”, tha Scholz në samitin e liderëve evropianë në Granadë. Përpara takimit, Zelensky theksoi rëndësinë e forcimit të mbrojtjes ajrore të Ukrainës përpara një tjetër dimri të ashpër. Ukraina pret që raketat dhe dronët rusë të bien sërish në rrjetin e saj energjetik. “Unë jam mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë në mbrojtjen e lirisë dhe popullit tonë. Kjo është gjithashtu mbrojtja e Evropës dhe vlerave tona të përbashkëta”, shkroi Zelensky në X, dikur Twitter, pas takimit me Scholz. Në prill, Gjermania, Holanda dhe SHBA-ja i dorëzuan Ukrainës secila, një sistem “Patriot”. Në gusht, Gjermania siguroi dy sisteme të tjerë “Patriot”.