Në një artikull të “Financial Times” të dy udhëheqësit thanë se Gjermania dhe Franca po rrisnin ndjeshëm shpenzimet ushtarake për të forcuar shtyllën evropiane të mbrojtjes kolektive të NATO-s.

“Në këto kohë sprovash, Gjermania dhe Franca – së bashku me miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe transatlantikë – qëndrojnë të bashkuar dhe të fortë, për të mbrojtur vlerat e përbashkëta, si dhe lirinë dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, thanë ata.

“Kërcënimi më i madh për stabilitetin evropian vjen nga Rusia”, thanë ata, duke e përshkruar Moskën si burimin kryesor të paqëndrueshmërisë për Evropën.

“Qëllimi ynë është të mbrojmë dhe ruajmë paqen në kontinentin tonë”, thanë Merz dhe Macron një ditë para hapjes së samitit në Hagë.

“Për sa kohë që zgjat trajektorja aktuale, Rusia do të gjejë në Francë dhe Gjermani një vendosmëri të palëkundur”, shtuan ata.

Përtej kërcënimit rus dhe mbështetjes për Ukrainën, Merz dhe Macron thanë për “Financial Times” se Evropa duhej të përballej edhe me terrorizmin dhe mbrojtjen e territorit kombëtar, qytetarëve dhe interesave në të gjithë globin.

“Një mbrojtje evropiane më e fortë dhe më e aftë kontribuon në sigurinë globale dhe transatlantike dhe është thelbësore për bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n”, thanë udhëheqësit.

“Duhet të tregojmë unitet kundër të gjitha kërcënimeve, të ofrojmë mbështetje për Ukrainën dhe të deklarojmë vendosmërinë tonë për të ndërtuar pajisje mbrojtëse evropiane dhe zhvilluar bazën tonë industriale përmes rritjes së shpenzimeve dhe investimeve në mbrojtje”, përfunduan ata.