Udhëheqësit administrativë të Bundestagut, dhoma e poshtme e parlamentit gjerman, po përpiqen të ndalojnë që deputetët të mbajnë stema apo simbole me mesazhe politike në sallën plenare.
Sipas një letre të kryetares së Bundestagut, Julia Klockner, për sekretaren e parë parlamentare të Partisë së Gjelbër, Irene Mihalic, përjashtim do të bëhet vetëm për simbolet zyrtare shtetërore që janë të dukshme në sallë; shqiponja federale, flamuri gjerman dhe flamuri i Bashkimit Evropian.
“Debati në sallën plenare zhvillohet me fjalë dhe vetëm përmes fjalëve”, thuhet në letrën e Klockner.
Ajo paralajmëroi se çdo simbol tjetër përveç atyre shtetërore mund të shkaktojë probleme ndarjeje dhe përplasje interpretimesh. Sipas saj, simbolet zyrtare përfaqësojnë trashëgiminë demokratike të Republikës Federale të Gjermanisë.
Por Mihalic ka kritikuar këtë direktivë, duke thënë se ajo mund të ndezë një “luftë kulturore” dhe të shmangë vëmendjen nga debatet reale politike.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për flamurin kombëtar, por edhe për simbole që përfaqësojnë mbrojtjen e vlerave themelore të kushtetutës sonë”, shkroi Mihalic.
Debati për simbolet në parlament gjerman pason një klimë gjithnjë e më të tensionuar në lidhje me identitetin politik, lirinë e shprehjes dhe kufijtë e saj në hapësirat institucionale.