Konsumimi i kanabisit në Gjermani duhet të kontrollohet më rreptësisht, pavarësisht se mbetet i ligjshëm, tha përfaqësuesi i qeverisë për çështjet e drogës në një  deklaratatë të  publikuar sot.

“Po shohim zhvillime qartësisht të padëshiruara”, u shpreh për të përditshmen “Tagesspiegel” Komisioneri për Lëndët Narkotike, Hendrick Streeck.

Sipas tij, sasia e lejuar prej 25 gramësh kanabis mjekësor është tepër e lartë.

“Nuk ka askush nevojë të mbajë 150 cigare me kanabis në xhep”, tha Streeck, i cili është profesor virologjie dhe epidemiolog.

Ai theksoi se rreth 5 milionë përdoruesit e rregullt të kanabisit në Gjermani duhet të largohen nga tregu i zi, duke ngritur ndërkohë shqetësimin edhe për kalimin e kanabisit të rritur në mënyrë private tek miqtë,  praktikë që mbetet e paligjshme. Nëse kjo dukuri rritet, paralajmëroi Streeck, “do të thotë se tregu i zi po rritet me një emër tjetër”.

Që prej legalizimit të pjesshëm në prill 2024, recetat për kanabis kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe importet janë pesëfishuar. Streeck kritikoi me ashpërsi boshllëqet në diagnostikimin dhe trajtimin nga distanca, duke dënuar atë që e quajti “shitës me përparëse të bardha”.

Dy javë më parë, qeveria propozoi rregulla më të ashpra, përfshirë ndalimin e dërgimit të kanabisit mjekësor me postë. Në të ardhmen, një recetë do të kërkojë takim personal mes mjekut dhe pacientit, si dhe këshillim të detyrueshëm nga farmacisti në momentin e marrjes së produktit.

Ministrja e Shëndetësisë, Nina Warken, ka njoftuar se së shpejti do të zhvillohen konsultime në parlament për ndryshimet në ligjin e kanabisit.

Streeck tha se duhet një ndarje e qartë mes kanabisit për konsum të lirë dhe atij të përshkruar me recetë, duke kërkuar që kanabisi mjekësor të trajtohet me të njëjtat standarde si çdo ilaç tjetër.