Ekonomia gjermane u përball me recesionin gjatë dimrit, pasi Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u tkurr me 0,3% në tre muajt e parë të vitit, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, pas goditjes së marrë nga inflacioni, njoftoi sot Zyra Federale e Statistikave (Destatis).
Sipas një vlerësimi, autoriteti ka parashikuar një ngecje të ecurisë ekonomike në tremujorin e parë të 2023.
“Ekonomia gjermane regjistroi tkurrje gjatë dy tremujorëve radhazi pas rënies së PBB-së në fund të vitit 2022”, tha presidentja e “Destatis”, Ruth Brand.
Pas tkurrjes së prodhimit ekonomik për dy tremujorë radhazi, ekonomistët parashikojnë një recesion teknik.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se i gjithë viti pati një performancë ekonomike negative.
Falë, kryesisht një dimri të butë në Gjermani, nuk ndodhën skenarët më të këqij, si për shembull mungesa e gazit, që do të kishte lënë plagë të thella në ekonomi.
Konsumi privat nuk arriti të mbështesë ekonominë përballë normave të larta të inflacionit.
Sipas shifrave të reja, familjet shpenzuan më pak për ushqime dhe pije, si dhe për veshje e këpucë, dhe për orendi në tremujorin e parë të 2023 sesa në tremujorin e mëparshëm.
Ndërkohë që tendenca rritëse e çmimeve është dobësuar kohët e fundit, norma vjetore e inflacionit prej 7,2% e regjistruar në muajin prill ka mbetur ende, relativisht e lartë. ATSH