Sipas një sondazhi të kryer nga “YouGov”, 48% e të anketuarve mendojnë se qeveria e qendrës së majtë e kancelarit, Olaf Scholz nuk po bën përpjekje mjaftueshëm për të luftuar ngrohjen globale. Ndërsa, 35% ishin të kënaqur. Pjesa tjetër nuk dha përgjigje. Koalicioni tripartiak i Scholz përfshin socialdemokratët e tij (SPD), të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP). Pakënaqësia me politikën për ndryshimet klimatike e ndjekur nga Berlini ishte kryesisht e lartë në mesin e votuesve të të Gjelbërve, me 78%. Ndër votuesit e FDP-së, nga ana tjetër, përqindja e votuesve të pakënaqur arriti në 37%. Sipas sondazhit, 47% e votuesve të SPD-së mendojnë se qeveria nuk po përpiqet sa duhet, ndërsa vetëm 36% ishin të kënaqur. Javën e kaluar, të tri partitë ranë dakord të lehtësojnë disa ligje për mbrojtjen e klimës dhe të investojnë miliarda euro për të përmirësuar rrjetin hekurudhor dhe rrugor, një vendim ky që shkaktoi pakënaqësi mes të Gjelbërve. Sondazhi i kryer online nga YouGov mori në pyetje 2 035 persona në Gjermani dhe u zhvillua midis 30 marsit dhe 4 prillit. Rezultatet përfaqësuan popullsinë gjermane të moshës 18 vjeç e lart.
Gjermanët të pakënaqur me politikën për ndryshimet klimatike
RELATED ARTICLES