Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj në 10 provincat më të goditura nga tërmeti i fuqishëm që shkaktoi vdekjen e mijëra njerëzve në Turqi dhe Siri. “Për të siguruar që puna e ekipeve të kërkim-shpëtimit të kryhet shpejt, kam vendosur të shpall gjendjen e jashtëzakonshme në bazë të kompetencave që më jep neni 119 i Kushtetutës”, tha sot Erdogan. “Ligjet përkatëse janë duke u përgatitur”, tha ai. “Numri i të vdekurve vetëm në Turqi ka arritur në 3 549 dhe mbi 22 000 janë plagosur”, tha Erdogan. “Mbi 8 000 banorë janë shpëtuar nga rrënojat”, shtoi ai. “Mbi 50 000 shpëtimtarë po punojnë pa pushim për të shpëtuar njerëzit dhe ekipet e huaja të ndihmës po bashkohen me ta”, sipas presidentit. “Kjo është një nga fatkeqësitë më të mëdha të rajonit tonë dhe të botës, jo vetëm në historinë e republikës sonë”, tha Erdogan. ATSH