-Një pikturë e Pablo Pikasos , e cila u zhduk në fillim të tetorit gjatë transportit të saj midis Madridit dhe Granadës është gjetur, raporton Le Figaro.

Sipas hetimeve fillestare të policisë spanjolle, vepra e titulluar “Natyrë e qetë me kitarë” mund të mos jetë ngarkuar në kamionin që duhej ta transportonte.

Ky rast i pabesueshëm që përfshin pikturën Natyrë e qetë me kitarë, e pikturuar në vitin 1919 nga artisti spanjoll, ka ngjallur kuriozite në median spanjolle.

Piktura do t’i prezantohej publikut në Fondacionin Caja Granada, por stafi i muzeut e kishte kuptuar mungesën e veprës  vetëm dhjetë ditë më parë.

Ditën e sotme policia spanjolle publikoi foto të veprës së Pikasos në duart e ekspertëve.

Vlera e veprave të artistit spanjoll i bën ato objektiva kryesore për hajdutët.

Në vitin 1976, më shumë se 100 piktura nga Pablo Pikaso u vodhën në Avignon, në Francën juglindore. Megjithatë, të gjitha kanavacat u rikuperuan përfundimisht.

Pablo Pikaso, i lindur në 1881 në Malaga, konsiderohet si një nga piktorët më të mëdhenj në histori.