“Bullgaria, Çekia, Estonia, Kroacia, Austria dhe Polonia po përballen me një situatë të ndjeshme migracioni për shkak të presioneve të akumuluara gjatë pesë viteve të fundit. Ato do të kenë mundësinë t’i kërkojnë Këshillit miratimin e një përjashtimi të plotë ose të pjesshëm nga kontributet e tyre në Fondin e Solidaritetit për vitin e ardhshëm”, thuhet në deklaratën e komisionit të publikuar dje.
Sipas “Fondit të Solidaritetit”, shtetet anëtare pritet të kontribuojnë në menaxhimin e kufijve të bllokut përmes zhvendosjes së migrantëve, mbështetjes financiare ose masave alternative, apo një kombinimi të tyre.
Komisioni theksoi se Greqia, Administrata Greko-Qipriote, Spanja dhe Italia janë “nën presion migracioni për shkak të nivelit joproporcional të mbërritjeve” dhe se do të kenë të drejtë të përfitojnë nga fondi.
“Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Estonia, Irlanda, Franca, Kroacia, Letonia, Lituania, Holanda, Polonia dhe Finlanda janë në rrezik të presionit migrator, qoftë për shkak të numrit të lartë të mbërritjeve gjatë vitit të kaluar, vështirësive në sistemet e pritjes ose kërcënimit të përdorimit të migracionit si armë, që mund të krijojë detyrime të tepruara gjatë vitit të ardhshëm”, shtoi komisioni.
Komisioni tha se këto vende do të kenë përparësi në përdorimin e “Paketës së Mbështetjes së BE-së për Migracionin”, e cila ofron ndihmë teknike dhe financiare për të lehtësuar barrën.
Ai njoftoi hapjen e një tenderi prej 250 milionë eurosh për mbështetjen e blerjes së pajisjeve kundër dronëve dhe sistemeve të mbikëqyrjes me dronë, për të ndihmuar shtetet që përballen me “kërcënime hibride dhe rritje të ndërhyrjeve ajrore me dronë”





