Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit” do të ngjitet sërish në skenën e Amfiteatrit të Liqenit të Tiranës më 20 maj. Ky aktivitet organizohet nga Kongresi Rinor Kombëtar si pjesë e Programit “Rinia zhvillon Kulturë”, në kuadër të “Tirana European Youth Capital 2022”, të financuar nga bashkia Tiranë dhe pritet të mbledhë mbi 1000 persona, kryesisht të rinj e të reja, si edhe qytetarë të Tiranës. Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit” e përshtatur nga Bajram Torba është bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares Zana Tako. Në dramë interpretojnë aktorë të njohur të teatrit shqiptar, por dhe të rinj si; Bujar Asqeriu, një nga emrat e njohur të skenës teatrore dhe kinematografisë, Margent Caushi, Erjon Hinaj, Gëzim Rudi, Marjana Kondi, Alba Shtëmbari, Lindar Kaja, Delvis Bejleri, Alban Masaku, Bajram Torba. Tematika e dramës është bazuar në ngjarje të vërteta reale, në kohën e persekutimeve të klerikëve dhe besimtarëve. Shfaqja e dramës ndërgjegjëson të rinjtë e të rejat mbi të vërtetat historike të një kohe të dhimbshme dhe të errët të popullit shqiptar, si një mësim për të ecur vetëm përpara për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Drama përkujton dhe nderon martirët e kombit, sidomos martirët e klerit katolik, të cilët janë torturuar, burgosur e vrarë padrejtësisht gjatë periudhës së diktaturës. Në qendër të ngjarjeve është prifti Lazer, i cili rrethohet me një sërë personazhesh, që plotësojnë ngjarjet me një vendosmëri të rrallë. Pas shumë torturave që i bëhen priftit, atë e pushkatojnë. Edhe pse para ekzekutimit ai fal dashuri. Kjo është drama që përcjell mision, falje dhe dashuri, por ndërkohë thuhet në material ngelet një dramë edukuese për mbarë njerëzit. atsh