Kultivimi i mjedrës, një kulturë e re në vendin tonë, shihet nga ekspertët në fushën e bujqësisë si një aktivitet fitimprurës, ndërsa kërkesa në treg po vjen në rritje.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ftoi fermerët nga Kukësi dhe Dibra të bëhen pjesë e një skeme mbështetëse nga Agjencia Gjermane për Zhvillim (GIZ).
“Një iniciativë e re që sjell mundësi të reja për fermerët nga Kukësi dhe Dibra, duke përfituar nga mbështetja e ekspertëve fitoni përvojë në kultivimin e mjedrave, një kulturë e re dhe fitimprurëse që ka kërkesë të lartë në treg”, tha Denaj.
Bashkëpunimi me partnerë strategjikë, si GIZ, theksoi ministrja, sjell rezultate të prekshme për komunitetet tona.
GIZ mbështet fermerët për një sipërfaqe nga 0,2 ha deri 0,4 ha me fidanë, agrotekstilin sistemin e ujitjes dhe barin e fisnikëruar ndërmjet rrjeshtave të mbjella.
Fermerët duhet të sigurojnë burimin e ujit për ujitje dhe pompën, kryejnë përgatitjen e tokës, sistemin mbështetës prej druri, përfshirë telat dhe plehrat dhe produktet për mbrojtjen e bimëve sipas udhëzimeve të ekspertëve
Ky projekt pilot ka për qëllim të përdorë përvojën nga Kosova për të siguruar të ardhura të mira dhe të qëndrueshme për familjet dhe banorët në rajonet malore. Mjedrat janë me kërkesë të lartë në treg, duke u ofruar fermerëve një mundësi fitimprurëse për të përmirësuar të ardhurat dhe jetesën e tyre.