Tre vjet pas fillimit në Budapest, “Giro d’Italia” do të nisë sërish nga jashtë. Vendi i zgjedhur nga organizatorët do të jetë Shqipëria, e cila në vitin 2025 do të mirëpresë për herë të parë këtë xhiro me tri etapa, para mbërritjes në Pulja.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i garës, Mauro Vegni, i cili në funksion të prezantimit të itinerarit të planifikuar për në 12 nëntor, konfirmoi edhe mbërritjen në Romë.

“Ne do të fillojmë me tri etapa në Shqipëri përpara se të kthehemi në Pulja, e cila do të jetë pika më jugore e prekur nga ‘Giro D’Italia’”, shpjegoi Vegni në një intervistë për BiciSport.

Gjithçka do të prezantohet më 12 nëntor, kur do bëhet zyrtar edhe itinerari i planifikuar për garën, e cila do zhvillohet mes 9-30 majit 2025, duke qenë një promovim i shkëlqyer për bukuritë e Shqipërisë.

Sipas medieve, garat në Shqipëri do të mbahen në 9 maj deri në 11 maj 2025 në Tiranë dhe rrethina, ku do të zhvillohen 3 etapat e para të garës, e cila më pas do të vijojë në Itali.