Vlerësimi bazohet në një studim të përgatitur nga German Economic Team (GET), organizatë konsulence e mbështetur nga Ministria Gjermane për Ekonominë dhe Energjinë. Sipas raportit, ulja e tarifave të transfertave ndërkombëtare për pagesat e tregtisë së jashtme do të arrijë në rreth 62 milionë euro, ndërsa kursimet nga remitancat do të tejkalojnë 9 milionë euro.

Të dhënat paraprake tregojnë se vetëm gjatë një muaji janë realizuar transferta përmes SEPA me një vlerë totale prej afërsisht 600 milionë eurosh, duke reflektuar përdorimin e gjerë të këtij sistemi që në fazat e para të funksionimit.

Integrimi në SEPA konsiderohet gjithashtu një faktor kyç për formalizimin e ekonomisë, pasi nxit përdorimin e kanaleve bankare dhe rrit transparencën e transaksioneve financiare.

Sipas skemës së re, transfertat deri në 20 mijë euro nga Shqipëria drejt vendeve të tjera europiane do të shoqërohen me komisione që nuk i kalojnë 2 euro. Për transaksionet deri në 100 mijë euro, tarifat do të jenë 0.01% e vlerës, ndërsa për shuma mbi këtë nivel, komisioni maksimal do të kufizohet në 25 euro.

Për emigrantët shqiptarë që dërgojnë para për familjet e tyre përmes rrugëve zyrtare, komisioni maksimal i transfertës do të jetë 3 euro.

Anëtarësimi në SEPA përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke forcuar lidhjet ekonomike me tregun europian dhe duke krijuar përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.