Bashkëkryetarja e Listës Guxo, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mohon se ka probleme me kryeministrin Albin Kurti. Ajo thekson se koalicioni qeverisës është stabil, derisa thotë se të gjitha përpjekjet për t’i përçarë dhe paraqitur kinse ka qëndrime të ndryshme në kabinetin qeveritar, janë naive. Kryediplomatja kosovare thotë për KosovaPress se është në linjë të njëjtë me kryeministrin Kurti për marrëveshjen bazë të arritur me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të ujdisë. Duke nënvizur përkrahjen ndaj Kurtit në strategjinë që ka zgjedhur në këtë proces, Gërvalla shton se ka takime të rregullta ndërmjet krerëve institucionalë, në të cilët është gjithmonë e pranishme.