Numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës që nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit që shpërtheu më 7 tetor ka arritur në mbi 25 000, tha sot Ministria e Shëndetësisë në territorin e drejtuar nga Hamasi. “Numri i të vrarëve ka arritur në 25 105 dhe numri i të plagosurve në më shumë se 62 680”, tha ministria. Brenda 24 orëve, 178 persona u vranë në sulmet tokësore dhe ajrore izraelite në brezin bregdetar. Shifrat nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve. “Rreth 70% e të vrarëve në Gaza janë gra dhe fëmijë”, tha ministria. Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Lufta u shkaktua nga masakra më e keqe në historinë e Izraelit, e kryer nga terroristët e Hamasit dhe organizatave të tjera ekstremiste palestineze më 7 tetor. Rreth 1200 persona u vranë nga militantët në jug të Izraelit. Izraeli është zotuar të vazhdojë të luftojë në Gaza derisa Hamasi të shkatërrohet plotësisht por ky qëllim mund të jetë shumë larg. “The Wall Street Journal” raportoi sot se, sipas një vlerësimi të shërbimeve të inteligjencës amerikane, Izraeli deri më tani ka arritur të vrasë vetëm 20% deri në 30% të luftëtarëve të Hamasit në Gaza. “Uashingtoni beson se Hamasi ka ende municion të mjaftueshëm për të vazhduar sulmin ndaj Izraelit dhe trupave izraelite në Gaza për muajt e ardhshëm”, thuhet në raport. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se kishin vrarë dhjetëra terroristë dhe kishin gjetur një sasi të madhe armësh gjatë operacioneve të ndryshme në Rripin e Gazës një dite më parë.