Pas sulmeve të rënda raketore nga Rripi i Gazës, Izraeli sulmoi objektivat e organizatës militante palestineze Xhihadi Islamik duke vrarë të paktën 10 palestinezë, përfshirë disa zyrtarë të rangut të lartë të grupit. Sipas agjencisë izraelite të lajmeve, TPS, Izraeli nisi sulme të befasishme ajrore mbi objektivat e Xhihadit Islamik Palestinez, përfshirë vrasjen e tre prej figurave të larta të grupit terrorist. Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes izraelite tha se gjatë sulmeve kishin vdekur Jihad Ghannam, Tareq Izzeldeen dhe Khalil Al-Bahtini. Burimet palestineze njoftuan vdekjet dhe thanë se 10 palestinezë u plagosën gjithashtu. Sipas burimeve palestineze dhe dëshmitarëve okularë, dronët izraelitë goditën dy ndërtesa që i përkasin Xhihadit Islamik në qytetin e Gazës dhe Rafah. ”Të dy ndërtesat u dëmtuan rëndë dhe ishin në flakë”, thanë ata. Ushtria vendosi kufizime ndaj komuniteteve në Izraelin Jugor. Javën e kaluar, ushtria izraelite tha se militantët palestinezë në Rripin e Gazës hodhën dhjetëra raketa dhe disa predha mortajash drejt Izraelit pas vdekjes së një të burgosuri palestinez të profilit të lartë. Disa persona u plagosën. Civilët në Izraelin Jugor u urdhëruan të qëndrojnë pranë një strehe të caktuar deri të mërkurën. Sipas ”Jerusalem Post”, u mbyllën edhe kalimet kufitare me Gazën. Disa rrugë dhe shkolla u mbyllën gjithashtu. Tensionet e fundit burojnë nga vdekja e Khader Adnan një javë më parë. Anëtari i lartë i lëvizjes së Xhihadit Islamik vdiq pasi kaloi gati tre muaj në grevë urie në një burg izraelit. Disa organizata militante palestineze në Gaza thanë se do të hakmerreshin. atsh