Nëntori sjell në Tiranë Panairin e Librit, një ngjarje mbarëkombëtare festoon këtë vit 25 vite. Ky edicion i 25-të i panairit do të organizohet në mjediset e Pallatit të Kongreseve në datat 16-20 nëntor, nën moton “Të gjithë jemi lexues”. Dyert do të jenë të hapura çdo ditë nga ora 9.00 e mëngjesit deri në orën 21.00.
Panairi i parë i librit në Tiranë ishte panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht.
Shkrimtarë, përkthyes, editorë, botues dhe lexues, bëhen bashkë për t’u njohur me botimet e reja. Janë 97 stenda në këtë edicion të 25-të panairit të librit. Më shumë se 100 shtëpi botuese duke marrë në konsideratë që disa shtëpi botuese i ekspozojnë librat e tyre në stendën e një shtëpie tjetër botuese.
Panairi i përvitshëm i librit bën bashkë edhe shtëpitë botuese nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, këtë herë edhe nga Italia. Kosova vjen e përfaqësuar me tre stenda kryesore: me stendën e Institutin Albanologjik të Kosovës, me Shoqatën e Botuesve të Kosovës si stendë më vete dhe me Dukagjinin më vete. Secila ka marrëveshje me shtëpi të ndryshme botuese në Kosovë. Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. Logos është shtëpi botuese e Shkupit, por sjell edhe botimet shqipe nga Tetova. Në panair gjendet me emrin Logos. Mali i Zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës, por vijnë edhe pak tituj të botuar në Tuz. Tuzi pritet të jetë i pranishëm me autobusë lexuesish që vijnë në mënyrë të organizuar dhe do kenë edhe takime për librin shqip aty. Zakonisht Panairi i Tiranës vizitohet nga të gjitha trevat shqiptare.
Në panair do të ketë një shtëpi botuese italiane. Stenda “Besa Muci”, e cila kryesisht ka në fokus botimin e letërsisë shqipe në italisht.
Panairi i librit është edhe një mundësi e shkëlqyer për të blerë libra me çmime të reduktuara. Ky panair përshkruhet si ngjarja më e madhe letrare e vitit, ndërsa në përmbajtje përveç librave dhe autorëve të rinj, do të ketë edhe prezantime, konkurse, konferenca dhe në fund ndarjen e çmimeve të panairit.