Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaron se 210 apartamente me kosto të ulët janë gati për strehimin e familjeve që nuk kanë mundësi dhe aftësi paguese të blejnë në treg të lirë. Në një postim në rrjetet sociale, Ibrahimaj thekson se ndërtimi i këtyre apartamenteve është mundësuar nga Enti Kombëtar i Banesave përmes investimeve me buxhetin e shtetit. Gjithashtu, ministrja bën të ditur se në Vlorë janë rreth 75 familje që do të akomodohen, në Gramsh 40 familje, në Maliq 25 familje dhe në Kukës 70 familje. Banesat me kosto të ulët janë një alternativë për strehimin e të gjitha atyre familjeve apo individëve që nuk janë në gjendje ekonomike e sociale për të përballuar ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore. Enti Kombëtar i Banesave i vjen në ndihmë këtyre familjeve për të siguruar blerjen e apartamenteve nëpërmjet marrëveshjes në bashkëpunimit me dy banka të nivelit të dytë, duke u siguruar kredi me kushte lehtësuese e më të përballueshme. Për të përfituar banesë me kosto të ulët, fillimisht qytetari duhet të plotësojë një formular ku deklaron situatën e strehimit, ekonomike, sociale dhe shëndetësore pranë bashkive.
Në fazën e dytë aplikimi fillon vetëm, pasi bashkia ju ka përzgjedhur për t’u trajtuar me një program social strehimi, në rastin konkret, banesë me kosto të ulët të ndërtuar (ose në ndërtim) nga Enti Kombëtar i Banesave. Për t’u përzgjedhur nga bashkia për këtë fazë, qytetarët duhet të plotësojnë, përveç kritereve që përcakton bashkia, edhe kriterin e të ardhurave. Ky i fundit i jepet bashkisë nga Enti. Ndërsa në fazën e tretë lista e qytetarëve përfitues, e miratuar me Vendimin të Këshillit Bashkiak respektiv, i dërgohet Drejtorisë Rajonale të Entit Kombëtar të Banesave. Qytetarët e përzgjedhur si përfitues të apartamenteve njoftohen zyrtarisht për procedurën që do të kryhet, strukturën e apartamentit që i takon referuar certifikatës familjare, përcaktimin e një afati 10 ditor, për kryerjen e pagesës (sipas mënyrës së përcaktuar me Vendim të Këshillit Drejtues) në numrin e llogarisë të vënë në dispozicion nga EKB Drejtoria/Dega Rajonale respektive.