Planifikimi i inspektimeve nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore me bazë risku ka sjellë përmirësime të ndjeshme, duke identifikuar një rritje prej 29% të punëmarrësve informalë gjatë proceseve inspektuese, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Agjencia për Medie dhe Informim (MIA) bën të ditur se janë futur në skemë 1 984 punëmarrës informalë, nëpërmjet masës urgjente “pezullim aktiviteti”, duke kontribuar direkt në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me një vlerë minimale prej mbi 22 milionë lekësh pas deklarimit në buxhet.
MIA informon se plani i inspektimeve do të intensifikohet në vijim dhe toleranca ndaj informalitetit do të jetë zero.
Ajo u bën thirrje punëmarrësve të mos pranojnë të punojnë të pasiguruar ose të nënsiguruar në skemën e sigurimeve shoqërore.
“Çdo formë pune jashtë kësaj skeme është abuzim që duhet denoncuar. Informaliteti i pagave dhe sigurimeve është armiku i pensioneve”, bëri të ditur MIA.
Qeveria thotë se një angazhim në një front të përbashkët qeveri-biznes-individë për forcimin e skemës së sigurimeve shoqërore, do të siguronte fondet e mjaftueshme për rritjen e pensioneve.
Ajo ka paralajmëruar ngritjen e një taskforce tatime-polici si dhe intensifikim të kontrolleve në terren për rastet e mashtrimit me kontributet shoqërore.
Aktualisht skemës së kontributeve të sigurimeve shoqërore i mungojnë rreth 500 milionë euro nga mosdeklarimi real i pagave.