Për herë të parë në Shqipëri do të zbatohet pas miratimit në Kuvend programi i ri Garancia Rinore i cili u vjen në ndihmë të rinjve për punësim dhe arsim profesional.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se qëllimi i këtij programi është që çdo i ri që është i papunë, jo në arsim ose formim profesional, të marrë një ofertë konkrete brenda 4 muajve nga regjistrimi.

Gonxhja informoi se Garancia Rinore është iniciativë e mbështetur nga institucionet publike dhe e mbështetur nga BE.

Gonxhja vuri në dukje se, Garancia Rinore është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

“Miratimi i Programit Kombëtar prej 63,5 milionë euro synon të mbështesë 60,000 të rinj. Ky program i financuar nga Bashkimi Europian dhe buxheti i shtetit do të ofrojë: Mundësi punësimi; Formim profesional; Mbështetje për arsimim dhe Mbështetje për fuqizim institucional”, u shpreh Gonxhja.