Për të dytin vit me radhë organizohet në Tiranë panairi ndërkombëtar “Future2Tech” më 9-10 tetor në Pallatin e Kongreseve.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
“E ardhmja ju pret në “Future2Tech”, panairin e Inovacionit, Teknologjisë dhe Edukimit më 9-10 tetor Pallati i Kongreseve, Tiranë”, shkruan Gonxhja.
Ky aktivitet është një nga më të rëndësishmit për sipërmarrjet në fushën e teknologjisë dhe bizneset që lidhen me të. Në panair do të marrin pjesë 100 ekspozues, biznese , institucione dhe strat-up. Në dy ditët e panairit do të zhvillohen 10 panele diskutimi mbi tendencat globale të industrisë, ndërsa 50 folës do të prezantojnë shërbimet më inovatore në treg.
“Future2Tech” i dedikohet teknologjisë dhe inovacionit, ku përfaqësues nga sektorë të ndryshëm kanë mundësinë të njihen me inovacionin e kompanive shqiptare në fushën e teknologjisë dhe të pasqyrojë nismat, përpjekjet, bashkëpunimet, mundësitë dhe sfidat e kësaj fushe, si në shërbimin publik edhe atë privat.
Vitin e kaluar aktiviteti ka ngjallur një interes të veçantë, sidomos mes kompanive të lidhura me teknologjinë, qoftë për produktet hardware, ashtu dhe për produktet dhe shërbimet software.