Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, bënë të ditur se Shqipëria është një ndër vendet e para që do të aplikojë programin pilot të “Futbollit në Shkolla”.
Përmes rrjeteve sociale, Duka bëri të ditur sot, se Federata Shqiptare e Futbollit aplikoj këtë projekt pilot në FIFA, ku dhe është marrë një përgjigje pozitive, për të qënë ndër federatat e para në zbatimin e tij.
“”Futbolli në Shkolla”, pjesë e strategjisë tonë “Futbolli për Kombin 2025”, nisi ditën e djeshme në “Shtëpinë e Futbollit” me trajnimin e 116 mësuesve të shkollave 9 vjeçare në të gjithë vendin”, – bënë të ditur Duka, teksa publikoi foto nga dita e parë e trajnimit.
“Federata Shqiptare e Futbollit aplikoj këtë projekt pilot në FIFA dhe morëm përgjigje pozitive për të qenë ndër federatat e para në zbatimin e tij”,- nënvizon Duka.
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ka falënderuar edhe qeverinë për realizimin e këtij programi, që do të ndihmoj në masivizimin e futbollit në Shqipëri.
“Një falenderim shkon për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ministren Evis Kushi që pranoj pa hezitim këtë program që do të ndihmojë në zhvillimin pozitiv të aftësive fizike dhe një jete më të shëndetshme të fëmijëve dhe nxënësve, duke i dhënë më shumë besim e ti rrisë me kulturën e punës në grup. Jam besimplotë se ky program do të masivizojë akoma më shumë futbollin në vendin tonë dhe ftoj të gjithë klubet e akademitë që nga shtatori të hedhin sytë nga shkollat tona për të gjetur yjet e të ardhmes”, – përfundon Duka.
Në janar të këtij viti, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për ti dhënë jetë projektit “Programi i Futbollit për Shkollat” që do të realizohet me mbështetjen e FIFA-s.
Ky projekt konsiston në krijimin e ekipeve të futbollit në shkollat 9-vjeçare, në furnizimin me bazë materiale të shkollave për zhvillimin e këtyre aktiviteteve dhe trajnimin e mësuesve të edukimit fizik që më pas do të shërbejnë dhe si trajner të ekipeve sportive.
Në fazën e parë do të përfshihen 116 shkolla 9-vjeçare ku përfshihen dhe vajzat dhe djemtë. Më pas do të zgjerohen edhe në 416 shkolla të tjera. Projekt mbështet dhe familjet shqiptare, që fëmijët e tyre do të kenë mundësinë të përfshihen në ekipe të ndryshme të futbollit pa patur nevojën të paguajnë para. Synimi final është kultivimi dhe promovimi i talenteve të reja në futboll për të furnizuar akademitë e skuadrave sportive në vend, por edhe ekipet përfaqësuese kombëtare të moshave. Qëllimi është të identifikohen talentet dhe të mbështeten. Ky është një projekt i cili do të mbështet totalisht nga FIFA. atsh