Kryeredaktori i një tabloidi gjerman që publikoi një intervistë të rreme të gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA) me ish-kampionin e botës në Formula 1, Michael Schumacher, u shkarkua nga grupi mediatik ”Funke”. ”Funk”e, e cila boton revistën, i kërkoi gjithashtu falje familjes Schumacher. “Ky artikull pa shije dhe mashtrues nuk duhet të ishte shfaqur kurrë. Ai në asnjë mënyrë nuk korrespondon me standardet e gazetarisë që ne dhe lexuesit tanë presim nga një botues si ‘Funke”, tha Bianca Pohlmann, drejtoreshë menaxhuese e ”Funke”. Anne Hoffmann, kryeredaktore në revistën ”Die Aktuelle” u “liruar nga detyrat e saj që nga sot”, thuhet në një deklaratë të ”Funke”. Ajo ka mbikëqyrur revistën që nga viti 2009. Historia e publikuar këtë javë në ”Die Aktuelle”shkaktoi një bujë në botën e medias gjermane dhe një debat rreth rreziqeve të inteligjencës artificiale. Faqja e parë e revistës ishte një foto e Schumacher me titullin “Michael Schumacher: Intervista e parë!” Një titull më i vogël më poshtë ishte “Tingëllon mashtruese e vërtetë”. Brenda revistës u bë e qartë se tabloidi po shkruante për një intervistë të rreme të krijuar nga një faqe interneti që përdorte IA-në. Shumica e fansave thanë se pretendimet për një intervistë ishin tërësisht të fabrikuara, pasi Schumacher ka jetuar në izolim të plotë që nga marrja e një dëmtimi të madh të trurit gjatë një aksidenti me ski në vitin 2013. Aksidenti e la atë me efekte të rënda shëndetësore afatgjata. Ai nuk është parë më në publik që nga aksidenti. “Intervista” sugjeroi në mënyrë mashtruese se Schumacher, 54 vjeç, kishte zbuluar detaje të shërimit të tij. atsh