Komanda e Forcave Tokësore (KFT), ka realizuar me sukses ushtrimin fushor “Arrow Bravo 25”, një operacion ushtarak, i cili kishte për qëllim vlerësimin dhe validimin e Kompanisë së Shtabit dhe Kompanisë B në përmbushjen e detyrave esenciale për zbatim të misionit.

Sipas një njoftimi të FSK-së, ky ushtrim ushtarak përfshiu skenarë kompleksë që simulonin operacione sulmuese, mbrojtëse dhe stabilizuese, të cilat u planifikuan nga kontrolli i Ushtrimit Fushor (UF) për të ofruar një ambient sa më realist. Qëllimi ishte testimi i shkathësive të komandimit, vendimmarrjes nën presion, si dhe bashkëpunimit ndërmjet njësive të ndryshme ushtarake.

“Arroë Bravo 25” shënon një hap të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve taktike dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke forcuar gjithashtu ndërveprueshmërinë dhe reagimin e shpejtë në situata të ndryshme emergjente, raporton KosovaPress.

“Ushtrimi kontribuon drejtpërdrejt në përgatitjen e trupave për mbrojtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe në sigurimin e stabilitetit në rajon. Ky aktivitet është pjesë e planit strategjik të KFT për rritjen e gatishmërisë luftarake dhe mbetet dëshmi e përkushtimit për ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të aftë për të përballuar sfidat e sigurisë”, thuhet në njoftim.