Risi e këtij sezoni është investimi më i fundit i FSHF-së, ndërtimi i qendrës së re të sistemit VAR në Shtëpinë e Futbollit. “Qershia mbi tortë e këtij sezoni të ri është investimi më i ri i FSHF-së, që do t’i vijë gjithmonë në ndihmë klubeve, ndërtimi i qendrës së re të sistemit VAR që është në ambientet e FSHF-së. Me këtë investim të ri, FSHF rreshtohet krah federatave më të mira në Europë, që implementimin e sistemit VAR e kanë në ambientet e Federatave të tyre” – thotë Sokol Jareci për FSHF.org.
Shefi i Sektorit të Arbitrimit tregon se trajnimi i arbitrave nis javën e ardhshme ndërsa ka edhe një ftesë për të gjithë djemtë e vajzat për t’iu bashkuar kësaj fushe. “Javës tjetër ne nisim procesin e trajnimit të arbitrave të Kategorisë “Abissnet Superiore” dhe të Parë. Do të nisë testimi në ambientet e reja sepse infrastruktura është e gjitha e re.
Gjithmonë shfrytëzojmë rastin për të bërë thirrje të gjithë vajzave dhe djemve të rinj që janë pjesë e futbollit të ndjekin Akademinë e Arbitrimit. Me numrat nuk jemi shumë të kënaqur, sidomos në kolegjiumet e rretheve. Tirana mban rekordin, për shkak edhe të popullsisë. Duhet t’i arrijmë numrat që të mbulojmë të gjithë aktivitetin futbollistik që ofron FSHF”, nënvizoi Jareci.
Prej disa vitesh tashmë, nuk mungon bilbili shqiptar në arenën ndërkombëtare. Edhe në takimet kualifikuese për djem e vajza në kompeticionet europiane, kanë gjykuar ndeshje disa arbitra. Risi ishte Albert Doda në rolin e AVAR-it për herë të parë në një ndeshje europiane.
“Kanë filluar të gjithë aktivitetet e UEFA-s për djem e vajza. Florian Lata ishte pjesë e turit të parë. Edhe te vajzat, ishim prezentë në turin e parë të Champions League me Eglantina Pjetrushajn. Për vajzat këtë vit shtohet edhe një aktivitet i ri, siç është Liga e Europës që do të thotë që rritet edhe numri i pjesëmarrjes për arbitret tona.
Enea Jorgji ishte pjesë e turit të tretë të Europa League së bashku me asistentët Rexha dhe çokaj. Risi ishte që për herë të parë mori pjesë në evenimente të UEFA-s, në rolin e asistentit të VAR, Albert Doda. Përveç se arbitrave në fushë dhe asistentëve, UEFA po i beson zyrtarëve tanë edhe rolin e sistemit VAR dhe AVAR”, përfundoi Sokol Jareci.